Çaste poetike me poeten;-Drita Rubjeka ZENELI

SHTEGTIM MALLI

—————————-

Nuk ka rëndësi në është shtator,

E as në është pragvjeshtë,

Stinë shtegtimesh është në çdo herë,

Për zogjtë mërgimtarë.

Shtegtuan sot, shtegtuan dje,

Shtegtuan larg e larg,

Zogjtë ndërtuan tjetër fole,

Me fijet e kashtës së mallit në prag.

Nga foleza e atit shtegtuan,

Në fijëz kashte, një pipëz fyelli,

Melodinë atnore këndojnë në udhëtim,

“Më prit o atë, më prit vendi im”.

Mbyllur në shishe aromën e tokës,

Aromën e detit e parfum lëndinash,

Në dhomëzat e zemrës, gëzimin e ditëve,

Dashurinë e amtë qëndisur rritjes.

Shtegtojnë zogjtë, shtegtojnë,

Nuk është pragvjeshtë, pragndarje është,

Loti i ndarjes, është shtegu i kthimit,

Mpaket foleza pa zogjtë…

/QendraPress/