Çaste poetike me poeten;-Drita Rubjeka ZENELI

VJESHTA NË MUA
(E risjellë prej dikur)
————————————–
U nis kjo vjeshtë, u nis në udhën ciklike,
Të dimërojë me mua pranë oxhakut,
Të fundit gjethe, degëve të zhveshura mblodhi,
Si një zonjë e hijshme, bujti pranë pragut.
Në netët e gjata kur zjarri tretet ngadalë,
Prania e saj shtrin prarin mbi libra,
Në fletë shpupuris një psherëtimë të artë,
Si një rrëfenjë e zverdhur në papirusët e lashtë.
Më pas largohet, pa zhurmë e ndër shkallë,
Si mjegull që shpaloset mbi një liqen të qetë.
Unë mbetem me aromën e viteve në dhomë,
Dhe me ndjesinë ciklike, unë jam vjeshtë.
/QendraPress/