Çaste poetike me poeten;- Elmije AJAZAJ

NUK JAM POEZI

—————————–

Nuk dua të jem fjalë në një faqe,

as varg që lexohet e shuhet në heshtje.

Dua të jem pesha që të bie në gjoks

kur nata bëhet më e gjatë se mendimet e tua.

Të jem ajo që nuk e thërret,

por të gjen vetë

në mes të një qetësie që të tremb,

kur e kupton se je vetëm me veten.

Dua të jem kujtimi që nuk kërkon leje,

që futet në mendje si dritë e ftohtë,

dhe të mban zgjuar

edhe kur sytë të mbyllen nga lodhja.

Jo zjarr që shpërthen e shuhet shpejt

dua të jem ajo që digjet ngadalë,

që të mësohesh me të,

dhe pastaj kupton…

se nuk di më të jetosh pa të.

Mos më quaj poezi ,

poezitë lexohen, harrohen, zëvendësohen.

Unë dua të jem ajo që nuk zëvendësohet,

një pjesë e jotja

që nuk e mban mend kur lindi,

por e ndjen sa herë merr frymë thellë.

Dhe nëse përpiqesh të më largosh,

do më gjesh përsëri —

jo si kujtim,

por si mungesë.

Sepse disa gjëra nuk jetojnë duke qenë pranë,

por duke mos u larguar kurrë.

/QendraPress/