Çaste poetike me poeten;- Emine Konushevci DURMISHI

KATËR MURE – PA DRITË

———————————

Parathënie e shkurtër:

/Kjo poezi i kushtohet ish-pjesëtarëve të Ushtrisë

Çlirimtare të Kosovës që pas luftës u përballën

me burgun dhe ende ndodhen në

procese gjyqësore në Hagë./

Në katër muret e ftohta, hija ime shihet,

kujtimet vijnë mes betejës, flakës e dritës.

Me penë e pushkë dikur ngrita shpresën,

tani heshtja më dhemb për të vërtetën.

Në burgun e natës, edhe dita rri pranë,

në zemrën e plagosur – të pathëna fjalë.

Stinët e vitit më ruajnë këngën e lirisë,

e unë n’vete lutem për ligjin e drejtësisë.

Se lufta ime s’ishte urrejtje as gjakmarrje,

por thirrje për dritë, për tokën arbërore,

për nënën që qante, për fëmijën e vrarë,

për babanë e masakruar, e Kosovën nënë.

Edhe sot shpirti qan për zërin e fëmijës,

që s’e dëgjova të më thërriste “baba”.

E tash në ëndrra më vjen me fytyrë drite,

i rritur, por përsëri mua n’shtëpi nuk më ka.

Gruaja më shkruan letra me lot e mall,

me besë e durim, sikur të ishte një zanë.

Në çdo letër më dërgon aromë shtëpie,

mbështjellë mes vargjesh me flamur lirie.

Muret më flasin në heshtjen e shpirtit,

për ditën kur do ndiej aromën e lirisë.

Se fjala e dhënë për tokën dardane

është betim i lindur n’moshë të rinisë.

Nga dritarja e ndiej qiellin e Kosovës,

ku ëndrrat e mia fluturojnë krahlehtë.

Do vijë ajo ditë për të vërtetën time,

për luftën dhe lirinë të paguar me jetë.

/QendraPress/