Çaste poetike me poeten;-Farie BISHA

Gravitet…

——————-

Energjia potenciale

e universit njerëzor,

ashtu si në fizikë,

varet shumë nga

lartësia e shpirtit.

Mbart heshtje.

Fsheh brenda vetes

peshën e së vërtetës.

Masa nuk injorohet.

Sa e madhe,

aq dhe e fortë përplasja

me realitetin.

Malli bëhet peshë,

kujtimet, gravitet

që lëvizin me forcë drejt zemrës.

Në vorbullën e një dashurie

të bukur, që ekziston

edhe pse ende nuk njihet.

Energjia tërheqëse

ripërtërihet

në një orbitë tjetër

që nuk i përket më njeriut,

por vetë dashurisë së universit…

Po sikur…

———————

pa dashje të vij në mendimet e tua?

Çfarë do bësh?

Do më mbash për vete?

Ç’kuptim ka të jem aty,

kur ti nuk e thua?

Atëherë mos më lër të futem

pa trokitur në qelizat

e një sinapsi të shkurtër…

Le të humbas diku tjetër,

në një mendje të qetë

që di të mbajë më ngrohtë surprizat e ditës.

Në mendimet e mia,

përpiqem të të anashkaloj.

Të pabindura,

gjejnë çarje,

futen,

dhe se unë i injoroj…

Një lojë, ik e hajde.

Në cepat e fshehtë

krijohet diçka pa formë

që nuk zhduket.

Vetëm

ndryshon…

/QendraPress/