Çaste poetike me poeten:-Nurie EMRULLAI

JETË NJË DIMENSIONALE

—————————————–

“Çfarë është e shkruar ta jetojmë,

do ta jetojmë” ‒ thotë nëna ime,

e pashpresë për jetën e trashëguar,

teksa fqinja vjen gjithmonë me një filxhan në dorë,

sa për ta matur çdo ditë

zemërgjerësinë e varfanjakut…

Kishim më shumë tokë, se dashuri. Të trashëguar.

Dhe varret i kishim faqes sonë. Shpesh emrat e të

parëve dielli i reflektonte mbi xhamat e shtëpisë,

si për të mos harruar!

Kishim shumë tokë dhe pak jetë…

Pak ditëza i jetuam, të tjerat i ruanim për momentin e duhur.

Ne, do të trashëgonim më shumë gjak dhe aspak tokë.

Gjithmonë jetën e nisnim prej aty ku të tjerët e kishin lënë.

Një kopsh i mbjellë, një kasollë mbuluar me kashtë,

dy-tri lule vjollce të mbira vetë.

Të papërvojë në role,

babai mësohej te ne si të jetë baba,

e për ironi nuk mësoi aq sa përpiqej,

nëna kishte lindur për të qenë nënë.

Ne fëmijët mësoheshim si të mbjellim fara kungulli e misri,

e kështu ishim më fëmijë dimrit pranë zjarrit,

dhe më të rritur verës tokave që punonim…

Të huajt që i gjetëm ishin të pagojë përreth nesh,

fshinin djersët me mëngët e këmishave të zverdhura nga duhani

dhe kur donin të pushonin vraponin pas gjarpërit me flokë.

Të gjithëve jeta u rrinte e madhe.

Asnjë hije nuk futej në gjymtyrët e tyre.

Në ëndrra hanin molla gorrece,

dhe ditën thurnin planin e rrëmbimit të vajzukes

që e kish zgjedhur babai për vete,

pasi nëna u vdiq nga grushtet e tepërta,

atij mëngjesi që s’kishte njomë bukën mjaftueshëm me qumësht…

Çfarë është e përcaktuar të jetohet,

do të jetohet…

Mbetet vargu dëshperues i fateve njerëzore,

Të pamësuar me rolet e tyre,

Por ç’e do,

Përndritja vjen në jetë, pikërisht kur duhet të jetohet.

/QendraPress/