Çaste poetike me poeten;-Rajmonda Shyta KOLVANI

Ikje që le pas dhimbje dhe mall

———————————————-

Më iku nëna, s’më tha se do shkonte,

Atë ditë më recitoi vargje për pleqërinë,

Frymëmarrja sikur po e mundonte,

Zërin s’e kishte më si cicërimë.

Përkëdhelur i fshiva nga sytë ca pika lot,

Buzëqeshur më pa e ngriti sytë nga qielli,

Me gjysëm fryme më tha: _Beso se ka Zot!

Dhe pastaj e qetë…oh nëna ime heshti.

Ç’më bëre, po si të t’i mbyll sytë dritëplotë,

Ata sy që dritë i dhanë ditëve të mia?!

Më gjeje tek humbja nëna ime e fortë,

Mes përqafimesh më nxirje nga errësira.

Më mbeti veshur trikua jote atë natë

Hedhur supeve që dridheshin dhimbjes,

Tani e pushtoj , pushtuar e mbaj gjatë,

Të shuaj sadopak mallin tënd të ikjes.

Mall përzier kujtimesh, oh sa shumë janë,

S’paskan të sosur, as për t’u harruar,

Se malli do më shuhet kur të të vi pranë,

Të falenderoj për gjithçka që ke bërë për mua.

/QendraPress/