Çaste poetike me poeten;- Rudina PAPAJANI

ANATOMIA E NJË GËNJESHTRE
—————————————-
Ne e dimë.
E megjithatë, i lëmë karrigen bosh që të ulet mes nesh.
Ajo nuk vjen më me hundën e Pinokut.
Vjen me kostum të qepur nga bindjet tona,
me kravatë të lidhur nga frika se mos mbetemi vetëm.
E njohim aromën e saj.
Ka erën e shiut që nuk bie kurrë,
të premtimeve që mbijnë vetëm në fjalime,
të duarve që përshëndesin lart dhe godasin poshtë.
Ne e dimë.
E shohim si ndryshon ngjyrë si kameleoni mbi trungun e interesit.
Dhe prapë i japim ujë.
Sepse nganjëherë gënjeshtra nuk jeton nga ai që e shpik.
Jeton nga ai që bën sikur nuk e sheh,
Kështu, çdo heshtje bëhet një tullë,
çdo kompromis një dritare, derisa ndërtojmë një shtëpi të tërë
ku e vërteta hyn vetëm si mysafire.
Ironia?
Nuk është se na mashtruan.
Është se, duke e ditur mashtrimin,
filluam ta quanim realitet. /QendraPress