Çaste poetike me poeten;-Xhemile  ALIU

MOJ TOKË E BEKUAR DARDANE

——————————————-

Ngrihem e përulem me nderim para teje,

Oj tokë e shenjtë, që më fale forcë shpirtërore,

Nëpër oazet e jetës gjithmonë më prin,

Si dielli që ndriçon botën me rreze hyjnore.

Ec pa u ndalur nëpër fusha e lëndina,

Nëpër krojet tua, ku dikur shuaja etjen,

Në kujtimet e mia ti më ngre kurajën,

Dhe më mëson t’i përballoj dallgët e jetës.

Edhe atëherë kur të përdhosin pamëshirshëm,

Kur harrojnë gjakun e dëshmorëve të rënë,

Ti qëndron madhështore, si engjëll i përjetshëm,

E papërkulur ndër shekuj, nga dhimbjet e lënduar.

Je tokë e ujitur me gjakun e dëshmorëve,

Je loti i nënave që kurrë nuk u shua,

Je amaneti i bijve të rënë për lirinë,

Je kënga e një populli që kurrë s’u nënshtrua.

Oj tokë Dardane, shekuj e martirizuar,

Vallë, a erdhi dita që e pritëm ndër mote?

Apo dhimbjet u harruan kaq shpejt,

Dhe plagët e historisë mbetën ende të hapura?

Ti je e bekuar nga vetë dora e Zotit,

Kot mundohen të të përçajnë e të të çakordojnë,

Se mbi qiellin tënd, në përjetësi qëndrojnë

Dëshmorët që dhanë jetën vetëm për ty.

Ty të falemi, o madhështore nënë jonë,

O nënë që na ushqen shpirtin kudo që jemi,

Edhe kur na shpërndan fati nëpër botën mjerane,

Ti mbetesh drita dhe shpresa që në zemër kemi.

Kudo që të shkojmë, emrin tënd e mbajmë,

Në zemër, në shpirt, në çdo hap të jetës,

Se rrënjët tona janë thellë në tokën tënde,

Dhe dashuria për ty nuk shuhet nëpër breza.

Të bekuar nga Zoti të paçim përjetë,

Oj tokë e shtrenjtë, oj nënë Dardane!

Në çdo zemër shqiptare qofsh dritë e pashuar,

Në çdo brez, amanet i shenjtë i trashëguar.

MOJ TOKË E BEKUAR DARDANE!

/QendraPress/