Çaste poetike me poeten;-Xhuli SPAHIU

Ata shkuan
—————————–
Ata shkuan…
dhe shtëpia mbeti më e heshtur,
sikur edhe muret
e ndjenë boshllëkun e tyre.
Për pak kohë,
shtëpia ime u mbush me jetë.
Me zërat e fëmijëve,
me të qeshurat e nipave e mbesave,
me hapa të vegjël
që më zgjonin shpirtin
dhe ma qetësonin zemrën.
I kisha pranë,
dhe mërgimi dukej larg…
Nuk numëroja ditët,
por çastet.
Çdo mëngjes ishte gëzim,
çdo mbrëmje një bekim,
çdo përqafim një pasuri
që s’doja ta humbisja.
Por pushimet mbaruan…
dhe erdhi ajo ditë
që një nënë nuk do ta donte kurrë.
Ata shkuan.
Valixhet u mbyllën,
përqafimet u zgjatën më shumë se zakonisht,
e sytë e mi
u munduan të buzëqeshin
edhe pse zemra po thyhej.
I përcolla me dorë,
por shpirtin ma morën me vete.
Tani,
shtëpia është po ajo,
por zërat mungojnë.
Lodrat janë aty,
por duart e vogla nuk i prekin.
Dera hapet e mbyllet,
por unë pres ende
të dëgjoj:
“Nanë…”
Dhe loti rrjedh vetvetiu…
Nuk e pyes pse,
sepse jam nënë.
Nëna nuk mësohet me ikjet.
Ajo vetëm mëson
të buzëqeshë mes lotëve,
të presë me mall
dhe të ruajë në zemër
çdo përqafim të fundit.
Ata shkuan…
por dashuria e tyre
mbeti këtu,
në çdo cep të shtëpisë,
në çdo rrahje të zemrës sime.
Dhe unë do të pres.
Sepse nënat
dinë të presin gjatë…
kur pas pritjes
është një përqafim
që quhet fëmija im.
/QendraPress/