Çaste poetike me poeten:-Zanë MEHMETI

Krim i dyfishtë

——————–

Do më kërkosh!

Një ditë…

Dikur..

S’ka rëndësi kur.

Nën hirin e dashurisë.

Si një gacë të vogël do më kërkosh,

t’i frysh me forcat e fundit

zjarrin që ta ofrova, ta rindezësh.

Jo për të të djegur,

por për të ngrohur shpirtin tënd.

Shpirtrat nuk lejojnë të fiket

ajo dritë që ndizet

pa e prekur askush çelësin e saj.

Do më kërkosh në fytyrat

që ndodhen kudo

në zërat që rrëshqasin pas supeve,

në çdo vetull

që dridhet në mënyrën

e saj të veçantë,

do më kërkosh…!

Buzëqeshjen që ndez dritë

në hapësirat e ftohta,

çmendurinë e bukur

që shkund çdo heshtje brenda,

flokët që fluturojnë

si erë që s’mund ta ndalësh.

Do kërkosh secilin hap,

që lë gjurmë të heshtura,

atë mënyrë që thërret pa fjalë,

mënyrën e të qenit vetja,

me çdo copë të këtij shpirti.

Megjithatë…

megjithatë…

askush nuk do të jetë unë.

O, jo!

Askush nuk do të jetë unë…

Atëherë do ta kuptosh vlerën

e atij zjarri,

që nuk e ndezi askush tjetër.

Nuk do ndihesh bosh.

Boshi vetë, do të jesh.

Do ndiesh më shumë se kurrë

dhe do neveritesh nga vetja.

Zëri im do të këndojë

brenda mendjes tënde.

Vargu do të rrjedhë

si rrëmujë që nuk të bindet më.

Çmenduria e bukur që e ndieje pranë

në erë do shpërbëhet.

Çdo gjethe e shpirtit tim

do të jetë venitur.

Pendimi pa mëshirë do të gjykojë.

Por…mos u pendo që më vrave.

Ta lejova unë.

Nuk vrave një dashuri.

Vrave versionin e fundit të vetes,

që mund të të mbante gjallë.

/QendraPress/