Çaste poetike me poeten:Kumrije Avdyl SHALA

TRI HERË GJENERAL
(Në vend të një lapidari për heroin e dy kombeve,
Bekim Berisha – ABEJA)
———————————–
Nuk desha të shkruaj më,
Shpirti po dhemb
Si plaga nga kripa,
Po nuk munda të mos shkruaj edhe për ty, Bekim!
Për ty po dhemb kjo plagë e rëndë,
Edhe atëherë kur të lanë në një lëndinë,
Asnjë pishë, asnjë man s’ta mbollën te gurvarri,
He, burrë i dheut!
Edhe fshehurazi deshën të të varrosin,
Pa nam e pa nishan,
Menduan se s’ka kush të flasë për ty,
Se të zhdukën amanetin, trimërinë, fitoret,
Të gjitha të mirat që i solle vendit tënd, Bekim!
Heu, he trimi!
Nuk të ngritën në piedestal,
Asnjë shtatore në këmbë,
As edhe një rrasë me mbishkrimin:
Dëshmor i shteti të Kosovës!
As këtë nuk e shkruan për ty,
ABE, Bekimi ynë!
Menduan ta shlyejnë historinë tënde,
Të zhdukin trimërinë tënde, burrërinë,
Të të harrojnë të gjallë e të rënë,
O jo, ore burrë!
Në Graboc linde e u rrite,
Vendlindjen s’e korite,
Të gjithë Kosovës fytyrën ia ndrite,
Vit për vit, shteti kroat, komandantë e gjeneralë
Të mbulojnë me nderime e lavdi,
Të kanë shpallur hero të kombit të tyre,
Shteti yt të la anash!
Pse, he burrë!
A pse e deshe shqiptarin aq shumë?
A pse ishe një furtunë?
A pse frikën ia fute armikut?
A pse preve kokat e çetnikëve?
O trimi ynë, luftëtar i lirisë,
Dy herë hero,
Hero i kombit shqiptar,
Hero i kombit kroat,
Nuk të harron Açareva,
Nuk të harron Drenica,
Nuk të harron Peja,
Nuk të harron Shqipëria,
Po as Juniku, Dardania, Kroacia hiç e hiç,
Për ty do të shkruajë historia,
Një herë në një mijë vjet një kësi burri vështirë se lind,
Ti linde në këtë anë,
Skënderbe për të luftuar për mëmëdhe,
Ti Bekim Berisha, o ABE!
Do të kujtojë gjithë shqiptaria sa të rrojë njerëzia,
Lum vendi ku ke lindur,
Lum nënëlokja që të rriti,
Shqiptarisë fytyrën ia ndrite.
Po ç’të duhet ty shtatorja e shtatit tënd,
Ta ngritin çlirimtarët e rrejshëm,
Komandantët që kanë komanduar krimin,
Ti veten ke ngritur në piedestal,
Tri herë ishe gjeneral,
Me shtatë gjuhë, ashtu si i fole dje lirisë,
I flet dhe sot lavdisë,
Ishe thatanik,
Por i fortë krejt çelik,
Strateg e vizionar,
Gjeneral e legjendar,
Në beteja e në furtuna,
Ferr e terr sytë të panë,
Bashkë me shokët që me ty ranë.
Por, çfarë the ditë kur re?
Ti, shëndetligu i lirisë!
Ti, lapidari i lavdisë!
Ti i paharruari i historisë!
Ti ke folur me heshjen,
Heroizmi nuk do fjalë,
Gjak do, sigurisht ke thënë,
Ditën kur ke rënë.
Ti shkosh hero atdheut,
Mund të kesh menduar, ABE!
Ashtu si porositi legjenda Skënderbe
/QendraPress/