Çaste poetike me poeten:Merita GRUDA/na sjellë vargjet Migjeniane/

MIGJENI

———————–

Dy buzë

Dy buzë të kuqe,

dy dëshira të flakta,

që afshin ma thithën,

gëzimin ma fikën,

si fantazma ikën

ndër do bota të larta…

Dy buzë si të përgjakta,

dy dëshira të flakta,

që afshin ma thithën

në buzë kur m’u njitën.

Andjet m’i trazuen,

zemrën ma tërbuen,

trurin ma helmuen

e në fund u mërguen…

Dy buzë të kuqe,

bukuri fatale,

të një gruaje stërzane.

Një pjesë zemre më nxornë.

Një pranverë të tanë më mornë

dhe gëzimin ma vodhnë…

Ato dy buzë të kuqe

dhe dy lot të mija

qenë shenja të dhimbjes,

kur më vrau bukuria,

kur më zu dashunia

e më dogji rinia.