Çaste poetike me poetin:-Kujtim R.HAJDARI

ËSHTË NDRYSHE DITA SOT

———————————————–

Kjo erë e lehtë që vjen prej deti,

Përkëdhel kujtimet këtë mëngjes,

Si një anije që ankoruar mbeti,

N’brigjet e shpresës prej kohësh të pres.

M’the do të hysh sot, rrethuar plot dritë,

N’errësirën e thellë të vetmisë time,

Si hyn një rreze dielli në mesditë,

Në një portë të prishur humbur n’harrime.

Do t’sjellësh këngët e detit si një sqotë,

Frushëllimat e pyllit gjetheplotë,

Dhe shpirtit cigan lodhur në halle,

Tingujt e fjetur do t’ja ngresh në valle.

Era bie këngë të dashura zemre,

Nga repertori i pa fund i natyrës,

Si një dorë e ëmbël, e dashur femre,

M’ledhaton hija jote e shëmbëlltyrës.

Qielli blu, qëndisur me rreze agimi,

Me retë e pakta të mbetura nga nata,

M’hedh poshtë fjongo të bukura gëzimi,

T’ua shtoj flokëve të tua të gjata.

Është krejt ndryshe kjo dita sot,

Edhe një zog që qëndroi mbi kruskot,

Më tundte kokën me një lule në gojë,

Dukej sikur më pyeste: “Asaj…, a t’ja çoj?

/QendraPress/