Çaste poetike me poetin;-Nexhbedin BASHA

JAM ZËRI YT, KOSOVË…!

(28-vjetori i Epopesë së UÇK-së)

——————————————

Kosovë,

Ti je libri im që shkruhet me pendë shqiponje,

Je amaneti i Bacë Ademit që shkroi histori.

Kudo në sheshet e truallit arbëror jehon fjala jote,

Zërat u ngritën si flamur në eter, etur për liri.

Zëri yt fluturon mbi male si shqiponjë,

Me zemra që s’harrojnë gjakun rrëke,

Gjuha e dëshmorëve flet shkronjë më shkronjë,

Me emra që u bënë dritë për Mëmëdhe.

Ne s’jemi fajtorë që deshëm liri,

Në zemër rreh amaneti i të parëve.

Betimi i UÇK-së është himn për Dardaninë,

Shqiponja fluturon mbi fusha e male.

Vala kaloi dete e oqeane,

Dhe shpërtheu në Hagë si stuhi.

Në sallat e ftohta ku peshohen fjalët,

S’ka pranga që shuajnë dritën e Arbërisë.

Nga Molla e Kuqe, Preveza e Çamëria,

Jemi bijtë e shqipes me rrënjë ilire.

Çdo gur i Kosovës thërret për të rënët,

Çdo fëmijë ruan zjarrin e tyre në shpirt.

Liria ka fytyrën e tyre,

Çdo zemër shqiptare shpërthen në flakë.

Jam shqiptar, krenar e arbëror në deje,

Rrënjët e kombit janë barut e zjarr.

Nga Prekazi në çdo skaj të Arbërisë,

Shqiponja dykrenare fluturon e lirë,

Flamuri kuqezi valon si dritë e artë,

Shpresën e lirisë ndez në zemrat e Ilirisë.

Në fund hap ditarin, vargje shkruaj,

Për 58 yje që ranë për liri,

Kulla e Jasharajve flakadan që kurrë s’u shua,

Amaneti i tyre rron përjetë në histori

/QendraPress/