Çaste poetike me poetin:-Rami KAMBERI

NALT MBI BUNË

—————————

Nalt mbi Bunë, ku flet Rozafa,

Rrin Shkodra si lis mbi shkamb;

Shumë stuhi i ranë ndër krahna,

Po s’e përkulën as moti, as dhamb’.

Sot nuk vjen ma anmiku me topa,

As me zjarr që fushat i përpin;

Vjen me fjalë, me vulë e me copa,

Ku tradhtija si mjegull hyn.

Derën duen me ia çelë harresës,

Me i dhanë emën paqe e nder;

Por jehona e moteve t’besës

Thërret: “Mos e shitni kët’ derë!”

Se kjo tokë ka pi gjak trimash,

Ka pa kulla tue u rrënue;

Ka rritë burra me besë malsinash,

Që s’u mësuen kurrë me u gjunjëzue.

Plavë e Guci, Ulqin e Tivar,

Janë kujtime që zemrën e çajnë;

Çdo kufi i lanë ndër varr,

Po kujtesën kurrë s’e ndajnë.

E kush harron plagët e vjetra,

Rrezikon me i çelë përsëri;

Historia nuk shkruhet me letra,

Po me gjakun për liri.

Shkodra s’asht veç gur e kala,

As veç Bunë që rrjedh ngadalë;

Shkodra asht besë që nuk thahet,

Asht flamur që s’bie i gjallë.

Prandaj ngrihu, o zani i votrës,

Mos e le terrin me sundue;

Se nderi rron në zemër t’tokës,

Kur e vërteta nuk pranon me u shitë.

Le të fryjë era mbi Rozafë,

Le të kumbojë kambana n’agim;

Sa t’ketë shqipe mbi kët’ tra,

Shkodra do t’rrojë me nderim.

/QendraPress/