Çaste poetike me poetin; Sahit F. OSMANI

KUR FËMIJËT LARGOHEN NGA SHTËPIA

———————————————–

Kur fëmijët largohen nga shtëpia,

hesht pragu dhe rëndohet dera;

mbetet një mall në çdo qoshe,

si një kujtim që e përkëdhel era.

Në çdo dhomë flasin kujtimet,

në oborr jehon një zë i larguar;

nëna mban dritën ndezur,

me shpresën e kthimit të bekuar.

Ditët kalojnë, vitet rrjedhin,

por malli kurrë nuk venitet;

rrënjët e shtëpisë i thërrasin,

dashuria kurrë nuk tretet.

Edhe larg, bijtë janë pranë,

se zemra largësi nuk njeh;

shtëpia mbetet fole e ngrohtë,

ku prindi me mall gjithmonë i pret.

Bekuar qofshin udhët e tyre,

çdo hap i jetës dritë u dhëntë;

e pragu i shtëpisë sonë

me gëzime gjithmonë u mbushtë.

/QendraPress/