Çaste poetike me poetin;-Sahit F.OSMANI /SHKALLËT E MALEVE

Ramush Haradinajt, gjatë arrestimit në Hagë, 2019

E pamatur ishte sfida
drejt kraterit të vullkanit;
e sot të thërrasin të zbresësh
në rrathët e ftohtë të ferrit.
Por shkallët prej nga u ngjite
ishin kreshtat e maleve,
aty ku liria ndizte flakë
në zemrat e shqiptarëve.
Aty ku netët mbanin erë baruti
dhe agimet çelnin me emra dëshmorësh;
ku toka, e mbushur me plagë,
nuk e mësoi kurrë gjunjëzimin.
Le të përlotet syri, o trim,
por shpirti le të mbetet i qetë;
se prangat e robërisë,
që bashkë me shokët e armës
ia këputët atdheut,
nuk lidhen më kurrë në duart e tij.
Sot mund të zbresësh
nëpër shkallët e ftohta të gjyqit,
por mali nuk zbret.
Ai i ruan gjurmët e hapave të tu,
i mban në gurë e në lisa,
dhe mbi heshtjen e tij të lashtë
ende jehon një fjalë:
Liri.
Dhe mali e njeh emrin tënd.
Era e Kosovës ende e bart,
si një kushtrim lirie,
nga kreshtë në kreshtë,
nga zemër në zemër,
nga një brez te tjetri.
Se mund të mbyllen njerëzit pas hekurave,
por nuk burgoset mali;
nuk burgoset kujtesa,
nuk burgoset një popull
që e ka shkruar fjalën LIRI
me gjak, me plagë
dhe me qëndresë
/QendraPress/