Çaste poetike me poetin:-Skender BERISHA

LASGUSHI NË KOSOVË

————————————-

Po vi Kosovë të pi një kafe

Moti desha të të përqafoj

Një jetë e tërë na shkoi

E nuk ndërruam llafe

Këndova për shpirtin tënd të bardhë

Gjatë përkunda dëshirën time

Atje ku pëplas valët liqeri

I kaltër si sytë e tu prej skyfteri

Sa shpesh të ranë në qafë armiq

Në flakë e luftëra të shkoi jeta

Ndër shekuj kjo qe e vërteta

Që nga Skupi në Drenicë

Ti e di mua te vetja më mori liqeri

Stërkala më hedh te mermeri

Po nuk më rrihet Kosovë jo

Do të nisem dhe kafen ta pi te ti

Këtu afër e kam përbri

Shokun e moçëm që këndoi për ty

Atë poemthin plot krenari

Të vimë po i them edhe atij

Të dy pleq po shpirtpaplakur

Nga Mali Thatë do të nisemi

E përmbi Sharr

Krejt një dimër qoftë a behar

Atje ku çunat nisën beteja

Do të ulemi unë e Kuteli

Kafen do ta pimë ngadalë

Ndër fjalët e ëmbla do të resh mallë

Nuk ka si t’mos kërkoj të ndalem

Atje ku trimat falen

Te Haradinajt

Edhe te Jasharët

Pastaj o miku im Kutel

Të dalë ku të dalë

Se ia arrita

Të shkruaj edhe unë Poem Kosovar

/QendraPress/