Durrësi porti kryesor i Kosovës

Në 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Autoriteti Portual i Durrësit njoftoi se po punohet për të çuar përpara projektin strategjik për ndërtimin e Portit të thatë në Prishtinë.

“Porti i Durrësit është porti kryesor i Kosovës, por ky përvjetor na gjen edhe më të përbashkuar, me angazhimin për të çuar përpara projektin strategjik për ndërtimin e Portit të thatë në Prishtinë, i cili konsolidon potencialin e përbashkët ekonomik duke na kthyer në katalizatorë të ndërlidhjes në Europën adriatike”, thuhet në deklaratën e Autoritetit Portual.

Tashmë prej datës 1 tetor të vitit 2022 në doganën e Durrësit po kryhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën.

Janë mbi 1000 biznese nga Kosova që përfitojnë aktualisht nga hapja e kësaj dege, jo vetëm kohë, por edhe kosto të reduktuar zhdoganimi. Referuar të dhënave nga Dogana, vetëm gjatë këtij viti janë rritur me 50 % mallrat dhe kontejnerët që zhdoganohen në Durrës dhe kanë destinacion tregun e Kosovës.

Ndërkohë grupet e punës nga të dy vendet po punojnë për kryerjen e një analize për bashkimin doganor, në mënyrë që të hiqen të gjitha barrierat e burokracitë mes dy vendeve dhe që bashkëpunimi tregtar të mos ketë asnjë pengesë.

Eksportet kryesore të Shqipërisë drejt Kosovës përfaqësohen nga eksporti i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, mineraleve dhe lëndëve djegëse, ushqimeve si dhe produkteve kimike dhe plastike.

Të rëndësishme në strukturën e eksporteve shfaqen prodhimet vendase të drurit/ mobilierisë si ndenjëset (karrige e kolltukë) apo mobilie të tjera. Gjithashtu, edhe prodhimet bujqësore kanë peshë. /ATSH/