E diela e 7 poezive dhe 7 poeteve;- Barie Çupi

 Të thënat e mia

————————————-

E thëna ime ka emër,është ndjenjë e paprekur,

ditëlindje e përjetshme në kalendarin e zemrës,

ndërsa brenda meje mijëra lule janë shkelur,

në flokun e thinjur,krejt ngjyrat e jetës.

E thëna ime lindi,e do ngjitet shkallë-shkallë,

bëhet avull i ngrohtë,dje ishte veç brymë,

është gjumë i vjedhur,në rrugën çalë-çalë,

një buzëqeshje,si ethe malli,nën frymë.

E thëna ime qibare,çelet si pranverë,

dëgjon veç zë shpirti,përtej çdo ligësie,

unë nuk di të vdes,kam lindur disa herë,

ditëlindje e përjetshme,gjurmësh dashurie.

Jam gjaku që ka ymër,që në germat e para,

mjegullash mërdhitur,reve të përhime,

në ndërrime motmotesh,të qeshura e të qara,

në shumë të pathëna,guxon e thëna ime.

/www.qendrapress.com/