E diela e 7 poezive dhe 7 poetëve:Sabit RRUSTEMI

PRINCI I ARBËRIT

( Bekim Fehmiut )

Po kthehesh atje prej ku u nise

Në të përjetshmen hise

Që e fitove vetë

Po e luan gjithmonshëm

Princin e Arbërit

Rolin e munguar

Skenës së njëmendtë

Lumëbardhi i shtrydhë bjeshkët e gurta

E shkumëzon nga dhembja

Për tu kthyer tek vetja

Tek rrënja vjen Ti

Më i praruar se kurrë

Për secilën kohë

I the jo vendnumërimit

Për jetë e mot

Rrjedhon e vezullon pa kufi

Vetëm Lumëbardhi ka këtë fat

Prehja jote të jetë

Përjetësisht

Dhe skena yte njëkohësisht

Mos u dëshpëro

Nëse me vonesë

Kuptojmë mesazhin tënd

Provinca na ka gërryer ngapak

Dhe ky Ballkan

Me një mal bajraqesh

Sa lumëbardhi ka lumnue

Tokës sonë e trupit

Mëkatet ende s’na lanë

T’i çelim sytë

Me hirin tënd të lehtë të bardhë

Këtij lumi valë valë

Falna o i Arbërit Princ

Nuk të njohëm sa të patëm

Nuk të duam sa duhet as sot

A rreth emrit tënd

do të sillemi e mbështillemi

për jetë e mot

( 19 Qershor 2010 )