E shtuna poetike me poetin;-Nexhbedin BASHA

Aty ku lind dashuria
——————————-
Në sytë e tu të përhumbur
humbim të dy,
si dy shpirtra të dashuruar në heshtje.
Një gotë verë dashurie
do ta pimë me endje në dritën e syve të tu.
Dhe nata bie ngadalë mbi ne,
si një mantel i butë drite e hije,
koha ndalet në një çast të vetëm,
ku fjala tretet
dhe mbetet vetëm ndjenja e fuqishme,
me shije.
Vera në gotë merr shijen e emrit
tënd,
si një kujtim që nuk di të shuhet,
dhe çdo pikë që rrëshqet në shpirt
zgjon një zjarr
që nuk kërkon kthim, por ruhet
Dhe unë e kuptoj papritur,
pa zë, pa zhurmë,
si një dritë që bie mbi heshtje:
kam rënë në dashuri me ty,
pa ditur se ajo ishte bërë udha ime.
pa e ditur kur nisi kjo udhë,
Në këtë heshtje ku lind dashuria,
edhe pritja bëhet dritë e butë,
dhe gjithçka që s’u tha me fjalë
jeton në një përqafim të pafund.
Ti je diell e hënë… je krejt galaktika
në sytë e tu përkundet… një botë plot drita
/QendraPress/