Edi Rama pasi njoftoi për anulimin e mbledhjes së dy qeverive: Kurti nuk po pranon të takohet me mua

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se është anuluar mbledhja e dy qeverive Kosovë-Shqipëri, e paraparë të mbahet nesër në Gjakovë.Rama tha se i kërkoi Kurtit që të takohen në një “format më të ngushtë”, por se ky i fundit nuk ka pranuar, shkruan gazeta online Reporteri.net.“E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve me Kosovën me krejt bashkësinë euro-atlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar. Pasi kam folur pasditen me Josep Borrell, i kam kërkuar Albinit të takohem nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e jashtëm dhe ata të mbrojtjes për të diskutuar lidhur me këtë situatë që po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euro-atlantike”, ka deklaruar Rama.“Për fat të keq mund të them se nuk kemi pasur dakordësi me Kurtin për një ndryshim të formatit. Ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe pastaj veç të diskutojmë edhe për këtë, por kjo nuk është e mundur, sepse nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot”, deklaroi tutje.Kryeministri shqiptar tha se ndërkombëtarët janë në prag të humbjes së durimit, dhe se shumë shpejt mund të pasojnë ndëshkime ndaj Kosovës.“Mbase nuk është përgjigje përfundimtare nga ana e kryeministrit, unë shpresoj shumë që do të mund të takohemi për të ballafaquar opinionet në kushtet kur jemi në prag të vënies në lëvizje të planit… se nuk më zë as goja të flas për sanksione… të masave shtrënguese ndaj një shteti që është krijuar nga ata të cilët qartësisht janë në kushtet e sosjes së durimit”.Mbledhja e dy qeverive, Kosovë-Shqipëri, ishte paraparë të mbahej nesër në Gjakovë. Kryeministria veçse ka publikuar agjendën dhe pikat e diskutimit të kësaj mbledhjeje që përfundimisht është anuluar.