Ferati: Reshjet e breshërit shkaktuan dëme të konsiderueshme

                  Mot i ligë me rrebeshe shiu dhe breshri ka përfshirë sot, komunën e Istogut, duke shkaktuar dëme të mëdha në kulturat bujqësore.

Kryetari i kësaj Komune, Ilir Ferati, tha se reshjet e dendura të breshërit gjatë ditës së sotme kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme, veçanërisht në sektorin e bujqësisë, duke prekur shumë fermerë që me mund e përkushtim punojnë tokën këtë sezonë.

“Jemi pranë çdo familjeje dhe çdo bujku dhe ekonomie familjare që është përballur me pasojat e këtyre vërshimeve. Menjëherë pas stabilizimit të situatës, nga dita e nesërme komisionet komunale do të dalin në terren për evidentim dhe vlerësim. Pas procesit të vlerësimit, raporti zyrtar do t’i përcillet Ministrisë së Bujqësisë, me shpresë për mbështetje sa më të shpejtë ndaj fermerëve tanë, me qëllim të tejkalimit të dëmeve të shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore. Uroj që pasojat të jenë sa më të vogla. Komuna do të jetë pranë qytetarëve dhe bujqve në çdo hap të këtij procesi, deri në tejkalimin e plotë të kësaj situate”, ka shkruar Ferati në “Facebook”.