Fryma poetike e së dielës me poeten;-Esmeralda MUÇO

Ti, o jetë që kurrë nuk të zgjodha,

——————————————-

Në këmbët e tua u përpëlita fëmijë,

për pak dashuri,

për të qenë më shumë se mish.

Ti, o jetë që më ke qëlluar,

me duar që dikur i putha,

dhe e bëre për të më zgjuar;

i pranova goditjet,

urreva veten, jo ato duar.

Ti, o jetë që më turpërove,

unë turp s’pata,

më mbylle rrugët,

unë hapa një nën tokë;

më mirë zjarr në terr

se fantazmë në dritë.

Më jep peshën e zgjedhjeve të mia, o jetë,

më bëj të dobishme pa më thyer,

më ul kur ngrihem në fodullëk,

më ngri kur bie në errësirë.

Më lejo të plagosem për të mësuar jetën,

si fëmija që rrëzohet për të ecur,

derisa të jem e plotë, e pavarur,

duke ecur në ty pa zhurmë,

pa puthur duar që s’e meritojnë,

pa luftuar beteja bosh,

pa u turpëruar nga e keqja që më prek,

dhe pa vdekur kurrë brenda vetes.

/QendraPress/