Fryma poetike e së dielës me poeten;-Jetina BUSHI

ZJARRI , NATA DHE DETI IM!

——————————————

Unë.. pashë si digjej nata pa bërë fare zhurmë,

atje ku zjarri nuk ka dritë, por vetëm prush,

mbi lëkurën time çdo dëshirë u bë shkrumb..

dhe dhimbjen time s’mund ta masë dot askush.

Më thonin.. “Dil në dritë, mjaft ndenje në errësirë!”

Sikur nata të ishte thjesht një… faj, një mëkat,

por unë po pastroja një shtëpi të ngrirë,

ndërsa ata prisnin të buzëqeshja në atë natë..

I ktheva shpinën botës, u mbyta në heshtje,

si një det i zi që fsheh në fund dallgën e egër,

ndërsa shpirti punonte pa zë, në çdo rreshtje,

duke grisur nga mishrat çdo kujtesë të vjetër.

Një dritë e pafajshme, si agimi mbi ujë,

më preku në sy dhe më ktheu në tokë,

pa fjalë të mëdha, pa bërë aspak bujë,

ma mblodhi shpirtin e thyer copë-copë…

Jam kthyer nga ferri, nga zjarri e nga nata,

Ndaj..mos guxoni të deshifroni zërin tim tani,

kush s’u mbyt në detin e zi ku unë ndënja

le të shohë nga larg, me heshtje e zili.

Tani deti është i qetë, por mban tjetër forcë,

as zjarri, as nata s’më bëjnë më dot hi,

mbi rrënojat e vjetra ngrita një kështjellë,

ku unë jam mbretëresha dhe ligji i ri!

/QendraPress/