Fryma poetike e së dielës me poeten:-Lola SHEHI

DASHURIA IME

——————————–

Dashuria ime

Nuk ka nevojë për ditë shenjtorësh,

Për data shënuar më të kuqe në kalendar,

Tufa lulesh shoqëruar me dedikime të çastit,

Për dhurata të shtrenjta blerë në dyqanet e modës,

Apo të lara në ar.

Dashurisë time

Nuk i duhet ballkoni i Zhulietës,

Ta shikojnë mijëra sy e turistë,

Nuk i duhen podiume, drita,

 prozhektotorë,

I mjaftojnë vetëm sytë e tu e të mitë.

Dashuria ime

Është e thjeshtë,

E zakonshme

E heshtur,

Pa vizitorë,

Pa bujë.

Është dhe rrebesh e furtunë,

Që po të zuri befas, deri në palcë të bën ujë.

Dashuria ime

Është ai flladi i ngrohtë,

Të përkëdhel ëmbël

Pastaj flakë ta ndez kraharorë.

Është rezultantja e numrit një ngritur në katror,

Matematikë krejt e thjeshtë

Aspak metaforë.

Dashuria ime

Nuk qëndron në puthjet plot zjarr,

Ndër çaste epshesh e çmendurish në shtrat,

Është më e hijshme,

më e fisme

më e paqtë,

Është ylberi i një pikë vese që ndrin mbi buzë,

Është çdo ditë,

çdo natë,

Është edhe më thellë

nën inde,

nën lëkurë,

Është unë tek Ai

Ai tek unë.

Dashuria ime, i ngjan poezisë,

Asaj poezisë,

Që s’mund të shkruhet kurrë,

Nëse s’ka muzë!

/QendraPress.com/