Fryma poetike e së dielës me poeten;-Luljeta F. LUBOVCI

E HUAJ JAM

——————————

E huaj jam prej shumë kohësh,

e mërguar diku larg,

trupi im mbeti në mërgim,

por shpirti s’iku kurrë larg.

Të gjitha rrugët, të gjitha shtigjet

më çojnë te vendi im,

sa herë mbyll sytë në heshtje,

Kosova më bëhet kujtim.

Natën, kur e lodhur bie

dhe portat i mbyll me qetësi,

mendoj se më në fund do fle,

por ti gjen një shteg tek unë përsëri.

Një shteg që vetëm ti e di,

ku askush tjetër s’mund të hyjë,

dhe vjen tek unë pa trokitur,

si dikur… pa më pyetur.

Pastaj, si në rrugica parqesh,

shëtit ngadalë brenda meje,

hyn nëpër ëndrra i shkujdesur,

më fanitesh, qesh… më bën me dorë.

Por kur mëngjesi nis të zgjohet,

ti shqetësohesh befas,

dhe heshturazi del përjashta,

nga ai shteg që vetëm ti e di.

Dita vjen… e rrjedh prapë jeta,

si të mos kishte ndodhur asgjë,

e unë, si dje, qëndroj e heshtur,

me mallin tim përtej çdo fjalë.

Trupi këtu… shpirti atje,

mes dy botësh mbetur peng;

e huaj këtu, e huaj kudo,

por në Kosovë… jam vetvetja prapë.

LULJETA F.LUBOVCI

/QendraPress/