Fryma poetike e së dielës me poeten;-Teutë Bajraktari CAKAJ

Ti në çdo pranverë
——————————
Në ngjyrat e pranverës të kërkoj pa zë,
si era që prek gjethet e s’di ku fle.
Në aromën e luleve ndalem ngadalë,
mos aty je fshehur, si dikur, vallë.
Të kërkoj në cicërimën e zogjve herët,
kur agimi hap dritaret e qiellit të vjetër.
Në çdo pikë shiu që bie mbi bar,
më duket se emrin tim pëshpërit me mall.
Në udhët ku blerojnë lulet e egra,
ende ec hija jote, e lehtë si ëndrra.
E unë mbledh pranverën në dorën time,
po ti më rrëshqet si drita mbi kujtime.
Të kërkoj tek dielli kur perëndon vonë,
tek heshtja ku zëri yt mbetet jehonë.
Se ca njerëz nuk ikin, veç bëhen erë…
dhe jetojnë te shpirti, në çdo pranverë.
/QendraPress/