Fryma poetike e së mërkurës me poeten;-Rudina Muharremi BEJA
HARRESË
————————
I mbyllëm portat e blinduara të shtëpive,
të bindur se s’kishte as dhe një harresë
e ato ngjanin gjithnjë e më tepër me arkën e Noesë
Ç’agoni pikëlluese!
Pallatet mbollën themele me rrënjë frike,
trazuar kohëve të verbëra
e mbi to,
mbinë mure të larta prej guri e egoje.
Ndërsa mokrra e mendimit
bluante psherëtima pa prajt
Çapitej e kaherë pyeste;
A thua Zotin e lamë jashtë?!
& & & & &
Lisat
———————–
Bregu nuk vesh më lisa
Ata i prenë,
i shitën në pazare fjalësh
Krejt dritën që mbartnin
ia zbehu tehu i egër i një sëpate
Krejt fjalët që s’thanë
u dëgjuan krismës së një rënie
Vrerorosem.
Pse njerëzit s’e dinë gjuhën e pemëve
të zogjve,
të flladitjeve,
të shirave,
të gjetheve…
Eh, gjuha e njerëzve…
/www.qendrapress.com/