Fryma poetike e së dielës me poeten;Barie ÇUPI

Ngjatjeta miqësisht

—————————–

Ecëm e s’ditëm sa ngecëm,

ecëm shqiptarisht,

ishim zgjuar,

të vërtetën e lexuam,

sa u bëmë lëmsh,ëndrrave,

ku qeshëm e qamë marrëzisht,

galiç mbështjellë pranë sofrës së bukës,

numëruar koresh,rrëzuar kupës,

i ndezëm rrugët me ulërima,

ndërsa urtësitë ikën e lanë porositë,

qiejsh me bubullima.

U kthyem në gagaçë e në gojacë,

ca si thartës,ca si lypës,

sa u rreshkëm buzësh,

sa prej egos,

e sa prej cmirës.

Do të ju shkruaja mbi lëkurë,

sa kaq shumë u mëshiruam,

sytë në katër,

por s’i njohëm të gjithë,

as në ditën me diell,

as nën lotin e hënës,

e ndezëm qirinj,

e ndërruam gjurmën e këmbës,

ngritëm lavde për kotësira,

as për fe,as për atdhe,

veç për sa e sa bisha,

kur dyert na u mbyllën në fytyrë,

belbëzuam si të dehur,

irrituar gjuhësh,

e ndoshta,

dhe dashuruam zgrip në k’të mënyrë.

ecëm pa patur kohë të lexojmë qartësisht,

gjithçka s’mund ta kesh në një të vetme jetë,

ndoshta veç në gjumë rastësisht,

e kemi prekur botën,me njatjeta miqësisht.

/www.QendraPress.com/