Fryma poetike e së dielës me poeten;Kumrie Avdyl SHALA
RRËKE LOTËSH
—————————
U çmalla mes luleve
e gjelbërimit,
bisedoja pa da me aromën
e tyre,
e zogjtë këndonin këngët më të bukura rreth jush.
Era e lehtë freskonte ballin
e djersitur
loti rridhte rrëke buzë pishës së madhe
që u bënte hije të gjithëve.
Fillova t’jua ledhatoj fytyrat tuaja, e ju ishit akull.
Përmes këngës së bilbilit
më flisnit,
soditnit ecjet, hapat e mi i numëronit kur puthja sa një gur varri, sa tjetrin.
Eh, asnjëri nuk flisnit me mua,
vetëm më shikonit si me habi,
bëheshit sikur nuk më njihnit.
U ula në një cung,
e strukur si zogu pa krah,
e ju rrinit të heshtur e nuk erdhët të më pyesnit çfarë kam.
U mërzita e sillesha vërdallë
si e marrë,
Ju me gojë nuk më flisnit.
Lotët rridhnin si gurra e kroit e i ujisnin lulet e Shëngjergjit rreth jush.
Juve nuk ju kish pas marrë malli për mua. Pse?!
Aty pranë jush nga Zoti im kërkova të vi tek ju,
që edhe unë të jem e qetë,
të rri si ju e heshtur pa folë asnjë fjalë të vetme.
Sot më mërzitët shumë,
se edhe kur u largova nga ju, nuk më përshëndetët asnjëri: as ti nënë,
as ju vëllezër e ju axhallarë, e as ti baba,
që ishe pika ime e dobët,
që atë ditë që ike m’i këpute të dy krahët.
Ishe forca ime,
ishe kuptimi i jetës sime.
Ti ishe ai i vetmi që të besova vërtetë.
Fjala jote ishte busullë e rrugës sime,
e tani të kam engjëll mbrojtës, o mbreti im! Pushoni të qetë!
O bre, sa më ka marrë malli t’ju shoh!…
/www.QendraPress.com/