Fryma poetike e së dielës me poetin:-Lulzim HAJDARI

Koha, tranzicioni dhe unë
————————————
Në shesh nuk dola vetëm unë
Dolën dhe hijet e viteve të mia,
Që rrinë t’shtypura nën thundrën e pushteteve
Si fletët e librit të keqtrajtuar dhe të nxira.
Qytetet gumëzhinjë këto ditë
Si pleqët e moqëm që mbajnë mend çdo kohë,
Mes paqes po lutem rrugëve, për pak dinjitet
Por arena politike s’më dëgjon.
Disa thonë që jam i zemëruar
Shumë të tjerë shpresë e vonuar,
Por ndoshta më trazoi legjenda e Mujos
Ose e Skëndërbeut me thuprat bashkuar.
Në dritaret atje lart nga froni i përdhosur
Pas t’çames së perdeve të kushtueshme të dritës,
Dikush numëron turmën
Si mizat në kërcurin e kalbur të pishës.
Kurse këtu poshtë në trotuar
Unë dhe shumë të tjerë numëronim vitet,
Dhe shifrat nuk përputheshin
Me premtimet e bëra nga të babëziturit!..
Natë, sheshi gumëzhin zëra lutës për drejtësi
Sepse t’pakënaqurit, të shkelurit nuk janë vetëm numra,
Ndonjëherë ato janë pasqyra
Pasqyrat që mundohen ti thyejnë.
Dhe frika më e madhe e një epoke,
Nuk është zëri që ngrihet
Por çasti kur pasqyra
Nuk pranon më të gënjej!.
/QendraPress/