Fryma poetike e së dielës me poetin:-Naim ÇEJKU

SHKODRA NUK FAL, O POPULL ZGJOHU

——————————————————

Mbi Rozafën plakë po bie një hije

Në djepin e kombit, në kullat e lavdisë

Duan të mbjellin farën e tradhtisë

Me lojëra diplomatike, pa fije njerëzie!

Si mund të peshohet në të njëjtën peshore

Gjashtëdhjetë mijë shqiptarë në troje etnike,

Me kolonë të mbledhur, me lojëra armike,

Që Shkodrës t’i vënë një njollë mizore !?

Nuk ka reciprocitet me gjakun e shkelur!

As diplomaci nuk ka mbi dëshmorë e varre!

Presheva,Bujanoci janë jeta dhe vatra jonë

Shkodra është kala që s’gjunjëzohet kurrë!

Ndaleni këtë turp, këtë asimetri të zezë

Dinjiteti i kombit nuk shitet në pazare

Konsullata serbe nuk ka vend tokën shqiptare

Nuk ka tradhti që këtë zjarr ta ndezë!

Ngrihu, o Shkodër, tregoja kufirin

Kush prek historinë, e pret historia!

Këtu zot shtëpie është vetëm Shqipëria,

Përpara dritës sonë, le të thyhet errësira!

/QendraPress/