Fryma poetike e së dielës me poeten:-Qaze Demko MYFTARAGO

DYFYTYRËSIA…
———————–
Përpara syve thurnin kurora me fjalë të arta,
pas shpine mprehën heshtur thikat e tradhtisë,
buzëqeshja u shkëlqente si dritë e rreme e natës,
ndërsa shpirti u zhytej në humnerën e ligësisë.
Më ngritën në buzë vetëm sa për t’më rrëzuar,
si era që ledhaton e më pas bëhet stuhi,
hipokrizia u bë mantel i zbukuruar,
mbi zemra që s’njohën kurrë fisnikëri.
Por koha është gjykatësi që nuk gabon,
çdo maskë e rreme një ditë copëtohet në pluhur,
se e vërteta, edhe kur vonon, triumfon,
e ndërgjegjja mbetet dënimi më i ashpër.
Le të flasin… fjala e ligë është veç jehonë e zbrazët,
që shuhet sapo prek dritën e së vërtetës,
sepse njeriu që të përqafon në sy e të godet pas shpine,
ka varrosur nderin në varrin e hipokrizisë.
/QendraPress/