Hapet në Prizren edicioni i tretë i Panairit Tradicional të Grave Zejtare.

Oda e Ndërmarrësve dhe Zejtarëve të Prizrenit, në bashkëpunim me HWK Koblenz, ka organizuar për herë të tretë Panairin Tradicional të Grave Zejtare, i cili po mbahet më 28, 29 dhe 30 qershor. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë zëvendëskryeministrja Emilia Redžepi, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ambasadori i Gjermanisë, Jörn Rohde, kryetarë të odave nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, si dhe deputetë, zëvendësministra, drejtorë komunalë dhe mysafirë të shumtë. Në këtë panair po marrin pjesë 66 gra zejtare nga mbarë Ballkani, të cilat po prezantojnë punimet dhe produktet e tyre në fusha të ndryshme të zejtarisë, duke promovuar traditën, kreativitetin dhe fuqizimin ekonomik të grave.
“Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit, partnerët dhe vizitorët për mbështetjen dhe kontributin e tyre në suksesin e këtij organizimi”, thuhet në njoftimin e Odës së Ndërmarrësve dhe Zejtarëve të Prizrenit./


/QendraPress/