KRITIKË LETRARE OLIMBI DAFA PËR ENVER D. HALILIN PËR POEZINË “KËMISHA E SHKYER”

Një poezi e veshur me shkëlqimin e yjeve, e mbështjellë me ngrohtësinë e diellit, që përcjell mesazhe paqeje dhe dashurie. Në të, pena juaj ngjyhet në agimet e mëngjesit dhe në gjakun e zemrës, në aortën e ndjenjës së thellë, e cila di çfarë përcjell dhe çfarë kërkon të thotë. Poeti sjell më të mirën, më të bukurën dhe më të dobishmen: dritën e botës së tij shpirtërore. Me punën e tij të palodhur, ai ka arritur në atë lartësi ku lexuesit e quajnë krenari të kombit, një yll që ndriçon zemrat e tyre. Nëpërmjet vargjeve, ai përshkruan qëndresën historike dhe papërkulshmërinë, me emocione të fuqishme dhe me simbolikën e asaj këmishë të gjakosur, si një flamur i heshtur i rezistencës. Në këtë poezi ndihet edhe thirrja e poetit për bashkim, si dhe një shpresë e heshtur për rilindje, një domosdoshmëri e kohës. Në vargun tuaj unë pashë trishtim dhe lot të hidhur që vadisin këto copëza jete të njerëzve të pafajshëm. Në to ndjeva urrejtjen, poshtërimin dhe përbuzjen e një regjimi që mbillte farën e ligësisë. Pashë lirinë e munguar dhe dëgjova zërin e erës së malit, që flet si një nënë e lashtë: “Mos u dorëzo, bija ime e harruar.” Pashë vargje që ngrihen mbi dhimbjen. Pashë se si shuhen ëndrrat, si zbehet drita brenda shpirtit dhe si zemrat lëngojnë, por njëkohësisht pashë edhe forcën e shpirtit për të rezistuar. Pashë dhimbjen që mbajti gjallë shpresën për liri dhe ëndrrat që, më në fund, gjetën rrugën e ndriçuar për t’i buzëqeshur sërish jetës. Në vargjet tuaja i përjetova këto vuajtje: i ndjeva, lotova, u rrënqetha, u preka thellë. Dhe sot them se, në këtë botë të fajshme, fajin e kanë njerëzit që e bëjnë atë të tillë. Vargu juaj i përlotur meriton të zëvendësohet me vargje drite, me vargje lumturie. Respekte, poet, për vargjet tuaja të mbushura me dritë dhe mirësi. Olimbi Dafa- Kritike letrare/QendraPress/