Kulla e Ajredinëve në Qëndresë ishte derë e hapur për luftëtarët e UÇK-së.-Shkruan;Afrim Ajredini

                   Sot, me mall e respekt të pamasë, e kujtojmë vëllanë tonë të dashur, Mustafë Ajredinin nga Qëndresa (Randubrava e Prizrenit), i cili para 24 vitesh u nda nga ne pas një sëmundjeje të shkurtër.

Mustafa lindi dhe u rrit në një familje bujare shqiptare, në kushte jo të lehta. Ishte djali i madh i Musaj Ajredinit dhe, si më i madhi, mbajti mbi supe përgjegjësi të mëdha për familjen, duke qenë gjithmonë pranë prindërve, tre vëllezërve dhe motrës së tij.

Ishte njeri punëtor, i ndershëm dhe i respektuar nga të gjithë. Punoi gjithë jetën me tokën, me vreshtat, duhanin, specat, domatet, patatet, trangujt e qepët. Njihej si një ndër bujqit më të mirë të zonës, me rendimente të larta dhe me duar të arta. Kush pati fatin ta njohë, e kujton me krenari për fjalën burrërore, për ndershmërinë dhe për punën e palodhur.

Por mbi të gjitha, Mustafa ishte një atdhetar i madh. Nuk e duroi kurrë regjimin shtypës të Millosheviqit. Kur erdhi koha e organizimit të UÇK-së, ai dhe e gjithë familja e tij u rreshtuan pa hezitim në shërbim të lirisë. Kulla e Ajredinëve në Qëndresë ishte derë e hapur për luftëtarët e UÇK-së. Aty gjetën strehim, ushqim, veshmbathje, armatim dhe përkrahje morale shumë ushtarë të lirisë.

Në vitin 1998, familja e tij hapi dyert edhe për mbi 200 refugjatë nga Rahoveci dhe fshatrat përreth. Askush nuk mbeti pa bukë, pa ujë e pa ngrohtësi në atë shtëpi fisnike. Mikpritja dhe bujaria e Mustafës do të mbeten përherë shembull i traditës sonë shqiptare.

Ai kishte moral të lartë kombëtar, zemër të madhe dhe besim të palëkundur se liria do të vinte. U jepte kurajë e shpresë të gjithëve, duke sakrifikuar gjithçka për familjen dhe për atdheun.

Vëlla, na mungon çdo ditë. Na mungon fjala jote, prania jote dhe vendi yt në mesin e familjes sonë. Por kujtimi yt jeton në zemrat tona dhe në veprat që le pas. Jemi krenarë me jetën tënde, me sakrificën dhe me kontributin që dhe për familjen dhe për çlirimin e atdheut.

Ti mbetesh një shembull frymëzimi për brezat që vijnë.

Lavdi dëshmorëve të kombit! Lavdi veprës së Mustafë Ajredinit!/QendraPress/