Mbi 36700 veteranë të UÇK-së, përfitues të pensioneve
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Mirëqenies Sociale për muajin shtator 2022.Sipas këtyre statistikave, në shtator të këtij viti numri i veteranëve të UÇK-së, të cilët marrin pension prej 170 eurove, është 36.780, transmeton Zeri.info.Sipas një llogaritjeje, buxhetit të shtetit kjo i kushton mbi 6.2 milionë euro në muaj.Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, rezulton se gjatë muajit shtator 2022: nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 24 169 familje, me gjithsej 95 478 anëtarë; dhe nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 2 776 familje.Ndërkaq, nga skema e pensioneve bazë të moshës janë 140 800 përfitues; nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 48 456 përfitues; nga skema për pensionet familjare janë 3 311 përfitues; nga skema për pensionet invalidore janë 61 përfitues; nga skema për pensionet e Trepçës janë 1 803 përfitues; nga skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës janë 1 267 përfitues; nga skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës janë 677 përfitues; nga skema e kompensimeve për personat e verbër janë 1 823 përfitues; nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 18 998 përfitues; nga skema për pensionet e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë janë 2 537 përfitues; nga skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës janë 13 148 përfitues; dhe nga skema për veteranët e luftës janë 36 780 përfitues.Ndërsa, gjatë muajit shtator 2022 janë braktisur dy fëmijë. /Zëri