Me 15 gusht,përkujtohet rënia e komandant Remzi Ademaj në altarin e lirisë.

             Figura madhështore  Heroi i Popullit Remzi Ademaj-Komandant Petrit Kodra u lind në fshatin Zhur, te Prizrenit. Remzi Ademaj ishte dhe do të mbetet njëri ndër patriotët ,ideologët, luftëtarët dhe komandantët më të shquar ne mbare Kosovën .Është i njohur me nofkën e luftës “Komandant Petrit Kodra”. Për të siguruar ekzistencën e familjes mori rrugën e mërgimit. Me veprimtari politike – patriotike aktivisht filloi të merret nga viti 1979. Në Shtutgard të Gjermanisë bie në kontakt me vëllezërit Gërvalla dhe patriotin Kadri Zeka, nga të cilët edhe më shumë u brumos me ide patriotike-kombëtare .Por vrasja e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës do të jetë një ngjarje e errët për të,por ajo ngjarje do të jetë për Remziun shtim i urrejtjes së mëtutjeshme ndaj regjimit serb. Aktiviteti i tij patriotik u hetua nga bashkëpunëtoret e UDB-së jugosllave dhe ai me 11 dhjetor 1985 arrestohet nga policia italiane, e cila pastaj ia dorëzoi policisë jugosllave. Nga gjykata e instaluar serbe në Kosovë, ai dënohet me 6 vite burgim të rëndë, të cilin e vuajti në burgjet e Lepogllavës, Gospiqit dhe të Stara Gradishes në Kroaci. Pas vuajtjes së dënimit ai nuk e ndali aktivitetin e vet patriotiko – kombëtar, përkundrazi veproi edhe më me përkushtim. Ai përsëri burgoset dhe dënohet me 3 vite e gjysmë heqje lirie. Përkundër se ndjekjet nga sigurimi shtetëror serb i kohës (1990 – 1998) ai ishte shumë aktiv në të mirë të çështjes kombëtare dhe ishte vëne ne balle të proceseve progresive te cilat po zhvilloheshin aso kohe siç ishte formimi i partive politike shqiptare në Kosovë, organizimi i strukturave paralele të shqiptarëve të Kosovës e të ngjashme. Ishte nismëtari kryesor për formimin e Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nena Terezë” në Zhur. Themeluesi i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Zhur, themelues i Shoqatës kundër Analfabetizmit në Zhur, Këshillit të Hipokratit në Zhur etj. Remzi Ademaj dha kontribut të çmuar edhe në mbijetesën e arsimit dhe shkollës shqipe në Zhur dhe lokalitet ne vitet 1990 – 1998, pikërisht në kohën kur Serbia u angazhua për çbërjen e saj, ai nuk hezitonte që të ndihmonte Këshillin për Financim të Zhurit në mbledhjen (grumbullimin) e mjeteve materiale për kompenzimin e pagave të punëtorëve arsimorë të Zhurit dhe lokalitetit. Remzi Ademaj ishte njeri i fjalës, i aksionit, humanist, i drejtë, arsimdashës dhe mbi të gjitha ishte vizionar, trim dhe sypatrembur. E deshti artin letrar, muzikor, sportin etj. Nën udhëheqjen e tij, u përgatit dhe u shfaq drama “Procesi” e Jusuf Gërvallës, ai gjithashtu shkroi edhe dramën „Hana“. Remzi Ademaj forcave çlirimtare i’u bashkua që në ditët e para të formimit të njësiteve të tyre. Ai më 4 korrik 1998 emërohet në detyrën e Komandantit të Shtabit Lokal të UÇK-së për Prizren. Nën udhëheqjen e Komandant Petritit njësitet e UÇK-së, në rajonin e Prizrenit arritën me sukses të plotë të zmbrapsin të gjitha sulmet e forcave serbe dhe të dalin fitimtarë në shumë beteja, njëra ndër këto beteja ishte ajo e datës 7 korrik 1998 tek vend i quajtur “Laku i Billushës” dhe beteja e zhvilluar më datën 16 korrik 1998 e zhvilluar ne tri pikat : ‘’Tusuz’’, te ‘’Kullla e Hoçës’’ dhe Billushe. Me rastin e ristrukturimit te UÇK-se ai thirret nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së më 14 gusht 1998 në Kleçkë, për të marrë detyra të reja. Ai emërohet Komandant i parë i Zonës Operative të Pashtrikut. Rrugës duke u kthyer nga Kleçka, gjatë një lufte të pabarabartë por tinanike, në fshatin Nashec, ai bie heroikisht në altarin e lirisë ( 15 gusht 1998). Me nderime te larta ushtarake, trupi i tij varroset ne fshatin Lybeqevë (Malësi e Vërrinit) me 16 gusht 1998. Pas përfundimit te Luftës, ai rivarroset ne Varrezat e Dëshmorëve ne fshatin Landovicë të Prizrenit .Isa Berisha,kryetar I OVL-së dega në Prizren, nofton se   ‘’Me 15.gusht.2026 përkujtojmë një nga betejat më të lavdishme të UÇK-së, ku, në këtë pritë të organizuar nga forcat e pushtetit serb, ra në altarin e lirisë Komandanti Remzi Ademaj, u plagosën Shukri Quni dhe Sami Sahiti, si dhe Heroi Xhevat Berisha mori lëndime të lehta.

Për të përkujtuar këtë kolos të madh të çështjes kombëtare, ju ftoj që të merrni pjesë më 15.08.2026 sipas këtij programi:

Ora 10:00 – Homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë

Ora 10:30 – Homazhe te Lapidari në fshatin Nashec

Ora 11:00 – Homazhe pran Monumentit të Lirisë të Remzi Ademajt (“Komandant Petriti”), i cili është renovuar nga Kuvendi Komunal’’shkruan  kryetari i OVL e UÇK – se Prizren Isa Berisha

/QendraPress/