“Në vend se të skuqet, sulmon Gjykatën”, Abdixhiku kërkon dorëheqjen e Ministres Haxhiu
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka ka kërkuar dorëheqjen e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila e shpalli të pavlefshme ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.Sipas Abdixhikut, Albulena Haxhiu, duhet të japë dorëheqje, si akt moral pas rrëzimit të Ligjit për Këshillin Prokurorial.Kreu i LDK-së ka thënë se “Një ministre që në vend skuqjes e dorëheqjes sulmon Gjykatën Kushtetuese s’mund të jetë as bartëse e Ministrisë së Drejtësisë”.“Nga logjika e ‘vajit në tepsi’, tek sulmet ndaj rendit juridik. Një Ministri e një ministre që cenon rendin kushtetues të Republikës, s’mund të sjellë politika të drejtësisë. Ky është interpretimi i Gjykatës më të lartë në vend – cenim i rendit kushtetues dhe rendit juridik”, ka shkruar Abdixhiku. “Çfarë shembulli drejtësie e barazie për qytetarët punëtorë e të drejtë?! Pse duhet të tjerët të respektojnë Gjykatat kur ato s’respektohen nga pushtetarët?”
Sipas Abdixhikut, pushteti aktual “kaq di”.“Përveçse të padijshëm janë dhe të rrezikshëm. Dorëheqja, si akt moral, është domosdoshmëri, e rendi kushtetues është i shenjtë – diçka që popullistët s’arrijnë ta kuptojnë asnjëherë”, ka vazhduar ai.
Të premten, Gjykata Kushtetuese rrëzoi Ligjin për KPK-në duke thënë se ai shkel disa nene të Kushtetutës. Vendimi është pranuar nga Ministria e Drejtësisë, që megjithatë ka shprehur “vërejtje për disa pika të vendimit”.
Vetë Haxhiu ka thënë se s’do të dorëhiqet, pas akuzave e kërkesave të LDK-së. Të premten Kushtetuesja e shpalli të pavlefshëm këtë ligj pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë, nga deputetët e PDK-së dhe LDK-së. Gjykata i ka vlerësuar në mospërputhje me Kushtetutën, disa nene të ligjit.Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e kontestoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin, në tërësi, të Ligjit për Këshillin Prokurorial.Haxhiu, ka thënë se është një goditje për reformën në drejtësi. /Reporteri.net/