Njeriu ka filluar t’i ngjasojë elektronikës, robotizimit, atje ku takohemi dhe s’kemi ndjenjën e prekjes

0

        Fatime Kalimashi poete, lidhur  me rastin e pandemisë sa  ajo e ka ndryshuar ritmin e traditës dhe jetës  pohon ; -“Pandemia covid-19 e njohur tashmë dhe e përhapur botërisht, jo vetëm që ka bërë dhe po bën dëm në ekonomi, në të mirat materiale tek shoqëritë botërore.

    Ajo dëmet më të pariparueshme është duke i shkaktuar në edukim, kulturë, sport e në shumë fusha të tjera të artit të shkruar, pamor, në film, në teatër e deri tek ahengjet familjare, dasmat me tradita e kulturë për secilin popull. Ajo që na bie në sy tani për tani është se çdo gjë ka filluar ta humb shijen e vet. Dasmat nuk bëhen me dasmorë, varrimet nuk bëhen me mortorë, ekspozitat, galeritë e artit pamor nuk bëhen fizikisht gje që e zbeh tejmase ndjenjën e përjetimit direkt të emocioneve kur ballafaqohemi me pikturën, mungesa e funksionimit të teatrove, e shfaqjeve të baletit, të aktiviteteve të gjera, pastaj mungesa e aktiviteteve sportive, ka krijuar dhe është duke krijuar pasiguri në vet qenien tonë, në vet fizikun tonë, në vet emocionet tona.

     Njeriu ka filluar t’i ngjasojë elektronikës, robotizimit, atje ku takohemi dhe s’kemi ndjenjën e prekjes, atje ku takohemi e nuk kemi guxim të afrohemi, atje ku takohemi dhe duhet ta mbyllim gojën me maskë për të folur ose bashkëbiseduar, atje ku njeriu buzëqesh qoftë edhe nga një fije shprese që i ka mbetur e as ajo buzëqeshje nuk i shihet.

        Bota po përjeton një luftë të fshehtë, në të gjitha fushat e jetës. Njeri pa art, pa kulturë, pa muzikë, pa libra, pa piktura, pa tempuj të dijes, të kulturës, të fesë, nuk e di si mund të ndihet i plotësuar. Prandaj ky armik i fshehtë po gërryen çdo gjë, e veçmas po dëmton kulturat, traditat e secilit popull.

         Njeriu nuk vdes veç fizikisht, ai vdes kur ia ndalon: Sportin, librin, galerinë, teatrin, këngën, vallen, ceremoninë e dasmës, ceremoninë e vdekjes, ceremonitë fetare. Njeriu vdes kur ia mohon lirinë, shpirtin kur ia robëron, prandaj ky virues ka sjell dhe është duke sjell dëme të mëdha në fushën e artit, kulturës e traditave të kombeve.”/qendrapress.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *