Paralajmërohet mundësi për vërshime të shpejta në disa zona të Kosovës
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se për shkak të reshjeve që kanë filluar sot, nesër (e hënë) nëpër disa zona të lokalizuara mund të paraqiten vërshime të shpejta.Sipas IHMK, situatë më e ngarkuar parashihet të jetë në pjesën perëndimore të vendit.“Reshjet të intensitetit të ulët të cilat kanë filluar gjatë ditës së sotme dt: 26.02.2023, në pjesën perëndimore dhe jugore, gradualisht do të përfshinë pjesën më të madhe të vendit, ku si pasojë gjatë dt: 27.02.2023, nëpër disa zona të lokalizuara mund të paraqiten vërshime të shpejta”-, thuhet në njoftim në Facebook.Sipas njoftimit situatë më e ngarkuar parashihet të jetë në pjesën perëndimore të vendit, kryesisht në sistemet e lumenjve, Klina, Lumi Istogut, Drini Bardhë (rrjedha e sipërme), Bistrica e Pejës, Deçanit, Ereniku, dhe në lindje, pellgu Morava e Binçës.“Nga këto prognoza fillimisht meteorologjike me reshje e pastaj hidrologjike me mundësi vërshime në interval afatshkurtër nga shiu plus shkrirja e borës nga zonat e larta malore (derisa bora e re të fillojë të bjerë), problemet lokale janë të mundshme sidomos rrëshqitje dhe shembje të tokës”, thuhet tutje në njoftim.Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, pjesa Perëndimore: probabiliteti për të tejkaluar një prag të periudhës së kthimit të përmbytjeve 5-vjeçare është rrethe 30 % ndërsa 20-vjeçare: 3 %.Ndërsa pjesa veriore: Probabiliteti për të tejkaluar një prag të periudhës së kthimit të përmbytjeve 5-vjeçare: 41 % ndërsa 20-vjeçare: 27 %.