Prokuroria dhe Policia: Personi nga Podujeva që u gjet i vdekur tek shtëpia e tij është 58-vjeçar, dyshohet të jetë vrarë
Të dielën një burrë është gjetur i vdekur në afërsi të shtëpisë së tij në Dumnicë të Podujevës.Policia e Kosovës, në raportin 24 orësh ka konfirmuar vdekjen e tij dhe ka cilësuar si vrasje duke dhënë edhe detaje të tjera lidhur me këtë rast.Policia thotë se po e heton rastin dhe aktualisht nuk ka persona të arrestuar.’Fsh. Dumnicë e Epërme, Podujevë 26.03.2023 – 18:08. Një mashkull kosovar është gjetur i vdekur në afërsi të shtëpisë së tij. Vdekjen e viktimës e ka konfirmuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes përveç njësive relevante policore ka dalë edhe prokurori, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në obduksion. Nuk raportohet për të arrestuar. Rasti në hetime.’’ thuhet në raportin e policisë.
Ndërsa zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net se deri më tani nuk ka persona të arrestuar, teksa prokuroria po kryen hetime intensive për identifikimin e personave të përshirë në këtë rast.
“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është kualifikuar “Vrasje”, sipas KPRK-së. Prokuroria në koordinim me Policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në mënyrë intensive, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të këtij akti dhe identifikimit të personave të përfshirë në këtë rast”, tha Ulaj për Reporteri.net.
Ajo shtoi se mosha e viktimës është 58-vjeç dhe me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.