‘’QENDRAPRESS ‘’PLATFORMË E RËNDËSISHME INFORMATIVE-Shkruan; Çerkin BYTYÇI,shkrimtar

Asnjëherë më parë dija nuk ka qenë kaq e shpejtë dhe e qasshme për kaq shumë njerëz sa sot. Platformat digjitale të informacionit në internet ndikojnë në mënyrë vendimtare në mënyrën se si informohemi, si mësojmë, si mendojmë dhe si komunikojmë me njëri-tjetrin. Qoftë portale informative, rrjete sociale, enciklopedi online apo platforma arsimore – ato janë bërë shtylla kryesore të shoqërisë sonë moderne.
Qasja e lehtë në informacion forcon arsimin, vetëdijen qytetare dhe barazinë e mundësive. Pavarësisht prejardhjes, moshës apo vendbanimit, njerëzit sot mund të informohen vazhdimisht për tema politike, shoqërore dhe ekonomike. Debatet publike nuk zhvillohen më vetëm në parlamente apo gazeta, por edhe në internet – shpejt, drejtpërdrejt dhe të dukshme për të gjithë.
Këto hapësira digjitale nxisin shkëmbimin përtej kufijve. Ato mundësojnë bashkëpunim, solidaritet dhe angazhim shoqëror. Shumë lëvizje shoqërore, iniciativa arsimore dhe projekte kreative lindin fillimisht në internet dhe aty gjejnë publikun e tyre.
Në këtë kontekst, platforma informative QendraPress, me seli në Prizren dhe e drejtuar nga gazetari, shkrimtari dhe publicisti me përvojë Qazim Thaçi, nuk është vetëm një institucion teknik – ajo është një pasqyrë inovative e realitetit shoqëror. Mënyra se si kjo platformë e përdor informacionin kontribuon në ndriçim, dialog dhe përparim, e jo në përçarje apo pasiguri.
Edhe kjo platformë tregon se si funksionon sot informacioni. Kjo
e bën dijen të lirë dhe të qasshme për të gjith, sjell përvoja, lajme, arsim dhe informacione shpjeguese te secili dhe në çdo familje, madje në mënyrë të shkurtër dhe kreative duke qenë dëshmi e përkushtimit se sa me vetëdije dhe qëndrim kritikë konsumuesit i ofrohet në përditëshmëri informacioni digjital.
Në këtë platformë, ndjekësi merr lajmin “nga dora e parë”, informacion të bazuar në burime të verifikuara, të çliruar nga hamendjet. Profesionalizmi gazetaresk, i strukturuar me kujdes dhe përgjegjësi të lartë, i qaset fjalës publike me etikë dhe seriozitet.
Në QendraPress, që është bërë platform e komunikimit shumëdimensional digjital, pasqyrohen mendime me vlerë të personaliteteve të shquara, krijime letrare e publicistike të njerëzve meritor, reportazhe e zhanre të tjera të shprehjes mediatike që ndjeksin e bën të mirë informuar dhe njëkohësisht, duke i shijuar vlerat krijuese, të krijon mendimin vetanak pa ndikim për aspekte të shumta të përditëshmërisë.
QendraPress me misionin e saj tejet të rëndësishëm njëkohësisht është bërë edhe kroniste e kohës sepse çdo ditë jo vetëm që publikon por edhe regjistron ngjarje e ndodhi që mund të lexohen dhe rilexohen. Vlera e saj arkivore shpreh edhe rëndësinë e kujtesës kolektive të ditëve dhe ngjarjeve që në të kaluarën por edhe sot e kësaj dite, zhvillohen me dinamizëm të pa parë. Kjo, me qëllimin e vetëm për të qenë në funksion të mbajmendjes dhe kujtesës së kohës që po e jetojmë por njëkohësisht edhe për gjeneratat e ardhëshme.
Mungesa e daljes në mënyrë fizike e shtypit ditor nuk mund të zëvendësohet me asnjë formë të plasimit të informacioneve në formën digjitale, kurse QendraPress e lehtëson boshllëkun e domodoshmërisë për informim të gjithanshëm në këtë kohë të jetës dhe realitetit tejet intensiv.
Me këtë fuqi përkon edhe përgjegjësia e QendraPress mbase dezinformimi, manipulimi i qëllimshëm dhe përdorimi jokritik i burimeve janë sfida serioze të kohës sonë. Prandaj, edukimi mediatik është më i rëndësishëm se kurrë. Përdoruesit duhet të mësojnë të verifikojnë, të krahasojnë dhe të shpërndajnë informacionin me përgjegjësi, dhe këtë parim QendraPress dhe stafi i saj e kanë themel të punës së saj.
Çerkin Bytyçi, 17.01.2026