Rambuje, CIA, diplomacia amerikane dhe SHIK-u i Kadri Veselit? si e mbrojti Thaçi – Rugovën në një moment
Pjesa e 12-të e rrëfimit të ushtarakut të UÇK-së, Vexhi Halili (Komandant Prizreni)
Rambuje, CIA, diplomacia amerikane dhe SHIK-u i Kadri Veselit“
“Diplomacia ndërkombëtare, veçanërisht ajo amerikane ishte shumë më larg se ajo serbe e ruse. Në fakt, nga kjo teknikë e negocimit diplomatik në favor të çështjes shqiptare dhe zgjidhjes përfundimtare të saj, do të përbëje një filozofi e cila duhet studiuar e analizuar për breza me rradhë, për të nxjerrë konkluzione shkencore të sakta. Kjo lloj diplomacie e ka bazën në përparësitë e informacioneve të marra në rrugë operative (sekrete) nga CIA, e cila kishte të dhëna shumë të besueshme se pala serbe nuk do ta firmoste marrëveshjen e Rambujesë. Këto informata që ishin të vërtetuara plotësisht nga ky shërbim, i viheshin në dispozicion kryediplomates amerikane znj.Ollbrajt.
Andaj, si “zotëruese” e këtij informacioni, ajo do të dinte të luante rregullat e lojës diplomatike për mrekulli, natyrisht në kontekst të kohës. Ndërsa, nga ana tjetër, diplomacia ruse kishte infomacione të “sigurta”. Këto informata i servireshin nga CIA, se në asnjë rrethanë nuk do të sulmohej ushtarakisht Serbia.” – nisë pjesën e 12 të rrëfimit të tij, ish ushtaraku i UÇK-së, Vexhi Halili.Sipas tij, diplomatja Ollbrajt zotëronte edhe informacionin se rusët kishin marrë garancinë se nuk do të sulmohej Serbia dhe po kështu shërbimi inteligjent rus dhe për rrjedhojë edhe diplomacia ruse e kishin ngrënë “karremin”. “Kështu, edhe fitorja mbi nënshkrimin e marrëveshjes, që pikë së pari ishte lojë e shërbimeve inteligjente të shumë partnerëve tanë, përfshirë këtu edhe shefin SHIK-ut, Kadri Veseli, e që më pas doli në fushën e “mejdanit” duke luajtur me “transparencën” diplomatike, në emër të shkeljes së të drejtave të njeriut, gjenocidit etj.” – rrëfen Vexhiu. Sipas komandantit që njihet me nofkën “Prizreni”, gjithçka që duket në sipërfaqe të përplasjeve diplomatike dhe më vonë edhe ushtarake, e ka zanafillën tek sherbimet inteligjente të cilat prodhojnë një produkt të caktuar dhe ia servirin diplomacisë.
Ndaj, sipas tij, dhe shërbimet inteligjente “goditen” të parët dhe pa asnjë lloj hezitimi nga shërbimet po inteligjente të vendeve armike, pastaj hyhet në luftën diplomatike dhe e fundit është ajo ushtarake. “Unë, si ekspert i informacionit të klasifikuar, kam qenë dhe jam idhtar që politika në përgjithësi nuk duhet të godasë pa fakte e argumente shërbimin inteligjent të vendit të tij, sado që mund të duket si i komprementuar me ligjin apo drejtësinë. Herëdo kur, këtë “goditje” të politikbërësve do ta përdorin shërbimet sekrete kundërshtare.” – shprehet ish shefi i kriptoanalizës në SHISH.Më pas ai vazhdon rrëfimin për rrjedhën e ngjarjeve gjatë procesit të bisedimeve në konferencën e Rambujesë. “Negociatat për nënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë kishin ecur sipas planifikimeve dhe pritshmërive që kishim parashikuar, por një incident i “rëndë” në terren, në frontin e luftës, na e prishi disi atë shpresën se do të firmosej marrëveshja sipas kërkesave të Ollbrajtit. Natyrisht, edhe sipas mendimit tonë duhej të firmosej sa më parë sipas këtij formati, pasi sa më shumë kohë të kalonte pa u firmosur marrëveshja, ekzistonte mundësia e “rrjedhjes” së informacioneve top sekrete. Nga fronti i luftës na erdhi mesazhi që nëse Thaçi do të firmoste marrëveshjen e Rambujes, ai do të etiketohej si një “tradhëtar” dhe si i tillë do të marrë “ndëshkimin e merituar”.
Pikërisht me këtë lloj presioni dhe këtë lloj ekstremi, një oficer i UÇK-së mori porosi nga një “eksponent” nacionalist i çështjes kombëtare shqiptare në Ljubjanë. Nëse firmoset nga Thaci marrëveshja e Rambujes, oficeri i UÇK-së, sipas porosisë së këtij eksponenti nacionalist, do të shkonte në Rambuje dhe të “ndëshkonte” Hashim Thaçin publikisht si Avni Rustemi Esat Pashën në Paris. Në një situatë të tillë kaq shumë të ndjeshme dhe shumë të ndërlikuar duhej të vihej në dijeni Luli (Kadri Veseli), i cili ishte pjesë e staturës së bisedimeve të Rambujesë, por në një këndvështrim tjetër nga ai diplomatik. Kaq shumë ishte acaruar situata dhe gjendja në frontin e luftës sa që Sulejman Selimi ishte zgjedhur si komandant i ShP të UÇK-së në vend të Azem Sylës si ish Kom i ShP. të UÇK-së. Kjo gjendje në terren do të detyronte Thaçin dhe Veselin të vinin urgjent në Tiranë për të hyrë në frontin e luftës me qëllim të zbutjes së situatës dhe sqarimit të rrethanave të reja të negociatave gjatë konferencës së Rambujesë. Pasi erdhën në bazën e UÇK-së në Tiranë, me Thaçin e Veselin bënim planin operativ për të depërtuar në frontin e luftës. Gjatë kohës së një pushimi të shkurtër, pashë një lajm në gazetat e atëhershme për Presidentin Rugova. Pa e lexuar fare, unë ju thashë: ‘Na mërzitën kokën me këtë Rugovën. Akoma besojnë ata në pavarësinë e Kosovës me pacifizmin specifik?!’ – ju thashë atyre dhe e hudha diku në tavolinë gazetën në fjalë. ‘Nuk është ashtu Vexhi.’ – ma ktheu Thaçi. ‘Nuk është ashtu siç flitet nëpër gazeta.’ – vazhdoi ai. Unë e pashë me habi Hashimin dhe njëkohësisht i hodha një vështrim të shpejtë edhe Kadriut. Edhe ky i fundit e aprovoi këtë pohim të Hashimit. Fillimisht më erdhi befasi dhe thashë ndoshta e kanë për “provokim” për të matur pulsin tim në raport me krahun pacifist. Mirëpo, kur unë ju thashë se a e keni me të vertëtë këtë opinion apo doni të më provokoni mua, ata u përgjigjen në mënyrë të qartë e bindëse: ‘Ky është qëndrimi ynë dhe nuk kemi përshtypje tjetër, pavarësisht se në disa raste na kanë etiketuar si anti-rugovistët më të mëdhenjë.’ Ndaj dhe kur Thaçi vendosi kurora tek varri i presidentit Rugova, për mua nuk ka qenë befasi, por për një pjesë të mirë të bashkëluftëtarëve të mi, ky veprim ka qenë “gjunjëzim” para Rugovës dhe rugovizmit.” – zbulon Vexhiu. Më pas, sipas Vexhiut, ata filluan të ndërtojnë strategjinë e teknikave të përhapjes së dezinformacionit se do të hynte shefi në front nga Pashtriku. “Kjo mënyrë e të thënit “sikur zotëron një informacion top sekret” nëpër tavolina pak më të gjera sesa tre apo katër veta, është një formë mjaft e këshilluar nga ekspertët e shërbimeve inteligjente për të përhapur dezinformatë.
Unë e kisha të qartë se me këtë lloj filozofie do i shmangeshim shumë “survejimit” të shërbimit inteligjent serb në Tiranë, por kështu kjo ishte mënyra për të “bindur” survejuesit dhe po prej raportit të tyre, do të shkonte edhe në veshët e shërbimit sekret serb (UDB-së) dhe prej saj natyrisht edhe ushtrisë serbe nga ambasada serbe në Tiranë. Në fakt ky dezinformacion funksionoi për mrekulli, ushtria serbe për hirë të së vërtetës e kishte “blinduar” me armë dhe ushtarë shtesë tërë kufirin (shqiptaro-shqiptarë) që përshkruante gjatësinë e e tij që nga Drini i Bardhë në Morinë të Kukësit e deri në Tropojë. Mendoj se na eci mjaft mirë edhe ky “mision” jo pak i vështirë për rrethanat dhe kohën që është realizuar. Shefi bashkë me Lulin dhe një ekip ushtarësh besnik u nisën drejt Peshkopisë në makina të ndara dhe të njëllojta. Shumë më qetë tashmë ishte ky kufi në raport me Pashtrikun, krejt më lehtë të hyhej nga kufiri me Maqedoninë, pasiqë të gjithë sigurimet ishin përqendruar në Pashtrik dhe rreth tij. Pas konsultave dhe bindjes se zgjidhja më e mirë e mundëshme dhe më e pranueshme, për kohën dhe rrethanat e krijuara, është nënshkrimi i marrëveshjes së Rambujesë, ky ishte edhe një sukses tjetër I diplomacisë dhe fitores në një betejë jo pak të vështirë të lidershipit të UÇK-së.” – përfundon këtë pjesë të rrëfimit të tij komandant “Prizreni”.Ai po ashtu ka një porosi për politikën e sotme: “Në Kosovë, në jetën politike të saj, nga rezultatet e zgjedhjeve pres qartësime në arritje të konsensusit primar politik, e i cili më pastaj hap shtigje për arritje të konsensuseve tjera si reforma në drejtësi, shëndetësi, arsim, zhvillim ekonomik, e veçanërisht në vendosje të kufirit ndarës se ku mbaron politika, e ku fillon kriminaliteti.”/Epilogu/