Rrëfimi i Ergyles, e vetmja grua në Kosovë që mban gjallë traditën familjare mbi 100 vjeçare të punimit të plisit.

0

Nga Xhejlane Kaçiu

                               Plisin e bardhë e ka vendosur në mes të sofrës. Në të njëjtën sofër që u ushqyen dasmorët e prindërve të saj para shumë vitesh.Ngjyrat kuq e zi rreth të bardhës së plisit janë kombinuar me shumë kujdes, në veshjet e zhgunit e materialeve të tjera, punuar me shumë dashuri.Mbi këtë sofër, që e mori me vete ku u martua 35 vite më parë, ajo ekspozon veshjet kombëtare, që mes sfidave i punon bashkë me bashkëshortin, djemtë dhe të vetmen punëtore që e ka aty tash e 15 vite.Në një objekt gjysmë tulla e gjysmë xhama, ku rrjedh uji mureve nga lagështia, familja Gjurgjialo mbajnë gjallë traditën e plisit.Tashmë udhëheqëse e punëtorisë së familjes, artizane Ergyle Gjurgjialo në një intervistë për Telegrafin ka rrëfyer sfidat e saj, që nga dita kur ajo nisi të punonte plisat.Rrallë shihej në Prizren që një nuse e re të punonte me bashkëshortin, por ajo arriti të marrë leje që t’i bashkohej në biznesin 120 vjeçar të familjes Gjurgjialo. “Fakt, kam qenë edhe nuse edhe punëtore. Sfida më e madhe, derisa kam marrë lejen prej pleqve në shtëpi, të dal edhe unë me Nagjiun, bashkë të punojmë, se jeta veç tu u vështirësu, edhe dëshira e vullneti që kam pas gjithmonë me punu”, thekson ajo.Ergylja thotë se kur e gjeti plisin në atë familje, e kaploi një emocion i madh. “Unë si femër me punu plisin, një emocion i madh, me gjithë vullnet krejt veten teme ia kam dhënë plisit”, rrëfen Ergylja.Që nga ajo kohë, asaj nuk i ka munguar përkrahja e bashkëshortit e familjes. “Përkrahjen e kam pasur gjithmonë prej burrit, e pas tij gjithmonë ai në punëtori, unë në punëtori, normal kemi pas adete, e do sende në Prizren, si nuse e re ka qenë e vështirë me dal menjëherë me punu, mirëpo përkrahjen e burrit e kam pasur ashtu që arrita me përfundu një plis krejt”, shprehet ajo, transmeton Telegrafi.E procedura deri të produkti final nuk është e thjeshtë.“Kjo zhguni që bëhet, krejt me dorë punohet, ashtu e kam bërë vet, kjo punohet si brumi me dorë e me forcë, prerjen e bën burri më tepër, gajtanin e bëjmë me djalin, tek zhguni, teshat kombëtare që është më vështirë”, shprehet Ergyle Gjurgjialo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *