Spitali i FSK-së i gatshëm për trajtimin e të infektuarve me COVID-19
Nga java e ardhshme, Spitali i Forcës së Sigurisë së Kosovës do të fillojë me testime serologjike. Ky spital së fundmi e ka siguruar aparaturën për këto lloj testimesh, e megjithatë nuk ka staf mjekësor adekuat për testim.
Spitali i FSK-së ka kapacitet prej 60 shtretërish për trajtim fillestar, por edhe për trajtimin e pacientëve me COVID-19, raporton KOHA. Në këtë institucion shëndetësor numri i personelit mjekësor është 81.
Përderisa 61 pjesëtarë të FSK-së, që kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, janë trajtuar nga ky staf mjekësor.
Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Mjekësore në FSK, Shkelzen Sylaj, ka thënë se janë të gatshëm që ta lëshojnë në shfrytëzim këtë spital nëse është e nevojshme për t’i trajtuar të prekurit me koronavirus.
Ndonëse ka shtuar që nuk kanë infektologë, por që ky institucion ka bashkëpunim me SHSKUK-në për ta përkrahur me shërbime specialistike.
Që nga 13 marsi, kur edhe janë konfirmuar rastet e para me COVID-19, i gjithë stafi i FSK-së, në të gjashtë kazermat, para se të fillojë punën i nënshtrohet një kontrolli rutinë nga stafi mjekësor.