Temperatura të larta edhe sot, rekomandohet kujdes i shtuar
Vazhdon vala e të nxehtit edhe përgjatë ditës së mërkurë, me temperatura të larta maksimale deri në 34C e 36C, dhe mot kryesisht me diell.
Herë herë mund të kalojnë vransira, e përgjatë viseve malore të zhvillohen vransira të pakta lokale. Era frynë e lehtë dhe mesatare nga veriu e verilindja 4-8m/s.
Kryesisht me diell dhe i nxehtë mbetet moti edhe përgjatë ditëve të ardhshme, deri nga fundjava. Megjithatë nuk paraqiten kushte krejt stabile, ngase në fundjavë, me zhvillime më të shumta të vransirave, orëve të pasdites, përreth zonave malore mund të priten zhvillime të rrebesheve dhe bubullimave, e që më pas mund të shtrihen në pjesë tjera të vendit. Temperaturat maksimale deri në fundjavë shkojnë në 36C e 37C, me mundësi që lokalisht të kapin vlera prej 38C e 39C. Frynë erëra kryesisht nga veriu e verilindja 3-9m/s.
Kujdes të shtuar në këto ditë të nxehta dhe me diell duhet të kemi nga rrezet ultravjollce. Indeksi i këtyre rrezeve UVI do të jetë në vlera shumë të larta të rrezikut, kështuqë rekomandohet që orëve të mesditës, nga 10 deri në 16, t’i shmangemi ekspozimit direkt në rreze të diellit.